Kulturë
VËLLEZËRIT NIKA, NJË EMËR QË VAZHDON TË JEHOJË NË MUZIKËN SHQIPTARE
Besnik Palnikaj · 2026-08-23

Në historinë e muzikës popullore shqiptare, vëllezërit Nika zënë një vend të veçantë. Për dekada me radhë ata kanë qenë ndër përfaqësuesit më dinjitozë të këngës dhe traditës së Malësisë së Gjakovës, duke e çuar zërin e Tropojës në mbarë trojet shqiptare dhe përtej tyre.
Në këtë fotografi të rrallë shohim vitet e rinisë së tyre, kur pasioni për muzikën dhe talenti i jashtëzakonshëm po merrnin formë. Me kalimin e viteve, ky pasion do të shndërrohej në një rrugëtim artistik të suksesshëm, që do të linte gjurmë në kulturën kombëtare.
Gëzim Nika, i nderuar me titullin “Mjeshtër i Madh”, mbetet një nga zërat më të dashur të këngës popullore shqiptare. Këngët e tij patriotike, historike dhe lirike janë bërë pjesë e fondit shpirtëror të shqiptarëve kudo që jetojnë.
Krah tij, Ndue Nika ka dhënë një kontribut të çmuar si instrumentist virtuoz, duke qenë një prej figurave që ka mbajtur gjallë traditën autentike të muzikës popullore. Po ashtu edhe Gjon Nika, me zërin e tij të veçantë, u bë pjesë e pandashme e këtij formacioni artistik që për shumë vite përcolli vlera të rralla të muzikës sonë popullore.
Së bashku, vëllezërit Nika krijuan një harmoni të veçantë artistike, një “simfoni” që lindi e u rrit brenda kullës së Nik Vuksanit, një vatër ku arti, kënga dhe tradita jetuan brez pas brezi. Shpia e Nik Vuksanit, djemtë e tij, bij të Btoshës, u kthyen në krenari të Mërturit, të Tropojës dhe të gjithë kombit shqiptar. Ajo derë nuk nxori vetëm artistë, por ruajtës të trashëgimisë sonë shpirtërore, njerëz që me këngë e muzikë mbajtën gjallë kujtesën, historinë dhe identitetin tonë kombëtar.
Ajo që i bën edhe më të veçantë vëllezërit Nika është fakti se ata nuk i përkasin vetëm historisë. Ata vazhdojnë të jenë aktivë edhe sot, duke kënduar, interpretuar dhe duke përcjellë te brezat e rinj dashurinë për këngën shqiptare.
Për Tropojën, për Nikaj-Mërturin dhe për mbarë kombin shqiptar, vëllezërit Nika mbeten një pasuri e gjallë kulturore, një emër që vazhdon të nderojë muzikën shqiptare dhe të frymëzojë breza të tërë artistësh. Nëpërmjet veprës së tyre, ata dëshmuan se arti i vërtetë nuk njeh kohë dhe se kënga e mirë mbetet përherë në zemrën e popullit.
- #vëllezërit Nika
- #Gëzim Nika
- #muzikë popullore
- #Mërtur
- #trashëgimi