Turizmi

Shtigjet e egra

Një krahinë ende e paprekur nga turizmi masiv: lumenj smeraldi, pyje dushku, ujëvara dhe fshatra ku koha ecën ngadalë.

Kisha e Currajt të Epërm, ngritur nga populli në 1913 pas fitores kundër ushtrisë Serbo-Malazeze
Kisha e Currajt të Epërm — simbol i Besimit, Atdedashurisë, Besës, Lirisë dhe Unitetit (Korrik 1913).

Shtigjet kryesore

Shtegu i Currajt të Epërm

Vështirësia: e lartë · 6–7 orë

Lumi i Nikajt dhe grykat

Eksplorim ujor · gjysmë dite

Qafa e Kolçit

Panoramë mbi Alpet · 4 orë

Salcë – Lekbibaj

Shteg fshatrash · 3 orë

Bujtina

Bujtina Mark Alia, më afër qiellit dhe Zotit

Bujtina Mark Alia mes maleve të Vranës në Nikaj-Mërtur

Mes maleve madhështore të Vranës, në një nga pikat më të veçanta të Nikaj-Mërturit, ndodhet një destinacion që po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë nga Shqipëria dhe jashtë saj. Bëhet fjalë për Bujtinën Mark Alia, një vend ku natyra, tradita dhe mikpritja bashkohen në mënyrë të përkryer.

E vendosur në një lartësi ku edhe në muajin gusht mund të takosh dëborën, kjo bujtinë ofron një përvojë të rrallë për këdo që kërkon qetësi, ajër të pastër dhe kontakt të drejtpërdrejtë me natyrën e egër të Alpeve Shqiptare. Rrethuar nga male të thepisura, livadhe alpine dhe panoramat mahnitëse që fal Vrana, bujtina është kthyer në një strehë të dashur për turistët, alpinistët dhe dashamirësit e natyrës.

Nuk është rastësi që shumë vizitorë e përshkruajnë këtë vend me fjalët: “Më afër qiellit dhe Zotit.” E ndërtuar mbi themelet e kullës së vjetër të Mark Alisë, një vatër e njohur për mikpritje dhe bujari, bujtina ruan frymën e traditës duke e përshtatur atë me kërkesat e turizmit modern.

E veçanta e kësaj bujtine nuk lidhet vetëm me turizmin. Pasardhësit e Mark Alisë ishin ndër të parët që vendosën të rikthehen për të jetuar sërish në malësinë e Nikaj-Mërturit, në një kohë kur shumë familje kishin braktisur trojet e tyre. Duke ringjallur kullën dhe pronën e të parëve, ata dhanë një mesazh të fortë se jeta në malësi mund të vazhdojë dhe të zhvillohet.

Një nga veçoritë më të vlerësuara mbetet kuzhina tradicionale, ku serviren ushqime dhe gatime bio të zonës, sipas recetave të trashëguara brez pas brezi. Pas këtij destinacioni qëndron Filip Gjeloshi, i cili me dashurinë e tij për natyrën dhe vendlindjen ka krijuar një hapësirë ku çdo vizitor mund të shijojë qetësinë, bukurinë dhe madhështinë e maleve të Vranës.

Dëbora e verës dhe ujëvara mes shkëmbinjve të VranësGrup turistësh para bujtinës në Nikaj-Mërtur

Kontakt: 069 96 80 297 — Mirësevini (Welcome)

Bujtina

Bujtina Prebibaj — porta mikpritëse e Currajit të Epërm

Nga Besnik Palnikaj

Bujtina Prebibaj në Curraj të Epërm mes natyrës së paprekur të Alpeve Shqiptare

Në zemër të Alpeve Shqiptare, mes maleve madhështore dhe natyrës së paprekur të Nikaj-Mërturit, ndodhet Bujtina Prebibaj, një destinacion që po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë vendas dhe të huaj. E vendosur në Curraj të Epërm, kjo bujtinë ofron një përvojë autentike shqiptare, ku ndërthuren bukuria e natyrës, tradita dhe mikpritja karakteristike e malësorëve.

Larg zhurmës dhe ritmit të vrullshëm të qytetit, Curraji i Epërm mbetet një nga vendet më të qeta dhe më të ruajtura të Alpeve. Vizitorët gjejnë këtu ajër të pastër, freski natyrore dhe peizazhe që të lënë pa fjalë.

Një nga veçoritë e Bujtinës Prebibaj është kuzhina tradicionale. Mysafirët kanë mundësi të shijojnë gatime të përgatitura me produkte vendore dhe bio, sipas recetave të trashëguara ndër breza. Tryeza pasurohet me mish të freskët nga zona, bulmet natyral, mjaltë mali dhe pije tradicionale.

Lumi që përshkon Currajin e Epërm, me ujërat e tij të kthjellëta dhe të freskëta, është një nga atraksionet më të dashura për vizitorët gjatë stinës së verës. Mikpritja e familjes Prebibaj mbetet një nga arsyet kryesore pse shumë turistë zgjedhin të rikthehen.

Udhëtimi drejt Currajit të Epërm është vetë një përvojë e veçantë: shtigje tradicionale malore ose mjetet e transportit që operojnë në zonë. Sot, Curraji i Epërm dhe Bujtina Prebibaj përfaqësojnë një nga perlat turistike të veriut të Shqipërisë.

Mjaltë mali i zonës që rrjedh nga bletaria vendore

Bujtina

Bujtina Ugari, një derë e hapur për turizmin në Palç

Mikpritësit para tabelës së Bujtinës A. Gjergji në Palç

Mes bjeshkëve të gjelbëruara të Palçit, në një nga zonat më panoramike të Nikaj-Mërturit, po merr jetë një tjetër histori suksesi e lidhur me turizmin malor. Bëhet fjalë për Bujtinën Ugari, një investim që po sjell më pranë vizitorëve bukuritë natyrore, traditën dhe mikpritjen karakteristike të kësaj treve.

E vendosur në një lartësi rreth 1300 metra mbi nivelin e detit, mes livadheve alpine, pyjeve dhe ajrit të pastër malor, Bujtina Ugari ofron një përvojë të veçantë për këdo që kërkon qetësi, natyrë dhe kontakt me jetën autentike të Malësisë së Gjakovës.

Palçi, i njohur për historinë, traditat dhe peizazhet e tij mahnitëse, po kthehet gjithnjë e më shumë në një destinacion tërheqës për turistët vendas dhe të huaj. Hapja e rrugëve të reja dhe përmirësimi i infrastrukturës kanë krijuar mundësi të reja zhvillimi.

Mikpritësi i bujtinës, Afrim Gjergji me familje, ka zgjedhur të investojë në vendlindje, duke krijuar një hapësirë ku vizitorët mund të shijojnë natyrën e paprekur, gatimet tradicionale dhe qetësinë që ofron kjo pjesë e Alpeve Shqiptare. Zona ofron mundësi për ecje malore, kampim, guida hiking dhe shëtitje me kalë.

Bujtina Ugari nuk është vetëm një biznes turistik. Ajo është një shembull se si dashuria për vendlindjen dhe besimi tek potenciali i zonës mund të shndërrohen në zhvillim dhe shpresë për të ardhmen.

Sofra tradicionale me produkte vendore në Bujtinën Ugari

Kontakt: 068 296 6766 · 067 296 6766 — Guesthouse Farm, camping, hiking, kalërim

Bujtina

Bujtina “Te Baca Qerim”, një ndalesë e bukur në hyrje të Lekbibajt

Grup i madh turistësh para Bujtinës Te Baca Qerim në Lekbibaj

Sapo kalon Urën e Tetajve dhe vazhdon drejt qendrës së Njësisë Administrative Lekbibaj, në anën e sipërme të rrugës shfaqet Bujtina “Te Baca Qerim”, një derë e hapur për çdo udhëtar që dëshiron të njohë nga afër mikpritjen dhe bukuritë e Nikaj-Mërturit.

E vendosur në një pozicion të favorshëm, bujtina shërben jo vetëm si vend pushimi, por edhe si një pikë e mirë orientimi për turistët që vizitojnë Currajt, Lumin e Mërturit, bjeshkët dhe atraksionet e shumta natyrore të zonës.

Pas viteve të gjata të braktisjes, një shtëpi tradicionale familjare është rikthyer në jetë dhe sot pret vizitorë nga vende të ndryshme, duke u ofruar kushte akomodimi, ushqime tradicionale dhe mundësinë për të përjetuar nga afër jetën autentike të Malësisë së Gjakovës.

Maza, leqeniku, qervishi, laknuri dhe shumë ushqime të tjera tradicionale u japin vizitorëve mundësinë të shijojnë kulturën gastronomike të Nikaj-Mërturit. Përveç bukurive natyrore, turistët njihen edhe me historinë, traditat dhe vlerat e kësaj treve.

Bujtina “Te Baca Qerim” është një tjetër shembull se si iniciativa private po kontribuon në zhvillimin e turizmit në Nikaj-Mërtur, duke krijuar mundësi të reja për promovimin e zonës.

Baca Qerim duke përgatitur mishin për mysafirët

Guida turistike

Çesk Prebibaj dhe guidat e tij turistike në Nikaj-Mërtur e Curraj të Epërm

Çesk Prebibaj me alpinistë dhe flamurin kombëtar në majë të malit

Në vitet e fundit, Nikaj-Mërturi dhe Curraj i Epërm, me bukurinë e tyre të egër dhe të paprekur, kanë filluar të tërheqin më shumë turistë, falë përpjekjeve individuale të përkushtuara si ajo e Çesk Prebibajt, guidë turistike e çertifikuar.

Edhe pse nuk jeton në Curraj të Epërm, ai gjen gjithmonë kohë për t’u kthyer në vendlindje, organizon guida turistike dhe nxit të tjerët të zbulojnë mrekullitë e maleve të veriut. Mungesa e infrastrukturës dhe e sinjalistikës e bën këtë punë të vështirë, por nuk e ndalon misionin e tij.

“Në lidhje me promovimin, kam ba sa kam mujtë e kam me ba deri sa të mundem. Mendoj se ka shumë nevojë; në Valbonë e Theth po kalojnë me mijëra turistë në ditë, ndërsa në Nikaj-Mërtur krejt pak… Gjithsesi Don Zoti e ndryshon.”

“Jam shumë i lumtur që Alpet Shqiptare po vizitohen çdo vit e më shumë nga turistë nga e gjithë bota. Dëshira ime është që edhe në krahinën e Nikaj-Mërturit, sidomos në vendlindjen time, Curraj i Epërm, të ishte e njëjta situatë,” shton ai.

Përpjekjet e Çeskut janë për t’u lavdëruar: falë tij dhe të tjerëve si ai, zona po fiton një vëmendje të re, duke treguar se edhe pa mbështetje të mjaftueshme, këto treva mund të ndriçohen përmes përkushtimit dhe dashurisë për natyrën.

Këshilla udhëtimi

Si të vish

Nga Bajram Curri me rrugë malore drejt Lekbibajt, ose me tragetin e Komanit dhe më pas me furgon. Rekomandohet automjet 4x4.

Kur të vish

Maji deri në tetor. Verë për shtigjet e larta, shtator–tetor për ngjyrat e vjeshtës dhe qetësinë.

Ku të flesh

Bujtina familjare në Lekbibaj, Curraj të Epërm dhe Salcë — shtëpi guri me ushqim shtëpiak dhe mikpritje malësore.