Shek. XV–XVIII
Lindja e fiseve
Nikaj dhe Mërturi formohen si dy fise malore me territore të përcaktuara përgjatë luginave të Currajt dhe Lumit të Nikajt. Jeta organizohet rreth vëllazërive, kullotave verore dhe kuvendit të burrave.
Menyja
FacebookHistoria
Nikaj-Mërturi nuk është thjesht një pikë në hartë; është dëshmi e gjallë e një populli që e ktheu malin në shtëpi dhe gurin në mburojë.

Shek. XV–XVIII
Nikaj dhe Mërturi formohen si dy fise malore me territore të përcaktuara përgjatë luginave të Currajt dhe Lumit të Nikajt. Jeta organizohet rreth vëllazërive, kullotave verore dhe kuvendit të burrave.
Kanuni
Marrëdhëniet mes shtëpive rregulloheshin nga Kanuni: besa, mikpritja dhe nderi ishin shtylla që mbanin një shoqëri pa shtet formal, në një terren ku askush nuk vinte lehtë.
Shek. XIX–XX
Nga kryengritjet kundër sundimit osman deri te izolimi i thellë i periudhës komuniste, krahina mbeti e vështirë për t'u arritur — dhe pikërisht kjo ruajti pastërtinë e traditës.
Sot
Fshatra si Curraj i Epërm, Lekbibaj dhe Salca po rilindin falë turizmit malor, bujtinave familjare dhe brezave që kthehen për të restauruar kullat e të parëve.
Dosje historike
Nga Dr. Dedë Qokaj

Në zemër të Alpeve Shqiptare, mes Thethit, Valbonës dhe Nikaj-Mërturit, shtrihet një nga hapësirat më të paprekura dhe më madhështore të natyrës shqiptare: luginat e Currajt të Epërm dhe Qereç-Mulajt. Të njohura për bukurinë e tyre të rrallë, biodiversitetin e pasur, trashëgiminë historike dhe potencialin e jashtëzakonshëm turistik, këto lugina përfaqësojnë sot një pasuri kombëtare që kërkon mbrojtje dhe vizion zhvillimi afatgjatë.
Nëse Thethi dhe Valbona janë tashmë emra të njohur në hartën turistike të Shqipërisë, Curraji i Epërm dhe Qereç-Mulaj mbeten ende një perlë e fshehur, një “Amazonë alpine” e ruajtur nga koha dhe ndërhyrjet intensive njerëzore. Pikërisht kjo paprekshmëri e bën këtë territor një nga asetet më të vyera natyrore të vendit.
Të vendosura në një lartësi mesatare prej 750 deri në 900 metrash mbi nivelin e detit, këto dy lugina formojnë bazën natyrore të trekëndëshit alpin Theth–Valbonë–Nikaj-Mërtur. Ato lidhen me qafa malore tradicionale dhe shtigje shekullore që përshkojnë pyje, bjeshkë, kanione, ujëvara, shpella dhe lumenj kristalorë.
Sipërfaqja e tyre arrin në rreth 8,605 hektarë, duke përfshirë pyje të dendura, kullota alpine, livadhe natyrore dhe toka bujqësore. Ky mozaik ekosistemesh mbështet një biodiversitet ndër më të pasurit në Shqipëri.
Curraji i Epërm nuk është vetëm një mrekulli natyrore. Ai përbën një nga qendrat më të rëndësishme të trashëgimisë shpirtërore shqiptare. Pikërisht në këtë trevë At Bernardin Palaj dhe At Donat Kurti mblodhën një pjesë të rëndësishme të Eposit të Kreshnikëve, duke regjistruar mijëra vargje që sot konsiderohen kulmi i folklorit epik shqiptar.
Kjo trashëgimi vazhdon të jetojë në kujtesën kolektive të banorëve, në toponimi, zakone dhe tradita, duke e kthyer Currajn dhe Qereç-Mulajn në një muze të gjallë të kulturës shqiptare.
Studimet e kryera ndër vite dëshmojnë praninë e mbi 880 llojeve të bimëve, mes tyre qindra specie mjekësore dhe endemike. Livadhet alpine dhe bjeshkët e zonës përfaqësojnë një laborator të vërtetë natyror me vlera të mëdha shkencore dhe ekonomike.
Po aq e pasur është edhe fauna. Në këto lugina jetojnë ariu i murrmë, dhia e egër, kaprolli, ujku, dhelpra dhe shumë specie të tjera të mbrojtura. Veçanërisht e rëndësishme është prania e rrëqebullit të Ballkanit, një nga gjitarët më të rrezikuar në Evropë, i dokumentuar në këtë territor gjatë vitit 2017.
Brenda këtyre luginave ndodhen dhjetëra monumente natyrore dhe pika turistike me potencial të jashtëzakonshëm. Rrasa e Currajve, Ujëvara e Mulajve, Syri Jeshil, Qafa e Fratit, Shkëmbi Kullë, kanionet dhe sistemi i shpellave alpine janë vetëm disa prej atraksioneve që mund të shndërrohen në destinacione të rëndësishme të turizmit malor dhe aventuror.
Ndër objektet më të veçanta spikat “Bira e Zezë” në Qeresh, një nga shpellat më të mëdha të eksploruara në Shqipëri, me potencial të madh për speleoturizëm dhe kërkime shkencore.
Pavarësisht vlerave të jashtëzakonshme, kjo trevë vazhdon të përballet me mungesën e investimeve infrastrukturore dhe politikave të qëndrueshme zhvillimore. Si pasojë, shumë familje janë larguar ndër vite, ndërsa potenciali ekonomik i zonës mbetet ende larg shfrytëzimit të plotë.
Për këtë arsye, shpallja e Currajt të Epërm dhe Qereç-Mulajt si Park Kombëtar përbën jo vetëm një domosdoshmëri mjedisore, por edhe një vendim strategjik në interes të zhvillimit kombëtar. Ky status do të garantonte mbrojtjen afatgjatë të ekosistemeve, ruajtjen e trashëgimisë kulturore, nxitjen e investimeve në turizëm të qëndrueshëm dhe krijimin e mundësive të reja ekonomike për komunitetin lokal.
Në një vend që synon ta kthejë turizmin në motor të zhvillimit ekonomik, Curraji i Epërm dhe Qereç-Mulaj meritojnë të trajtohen si ajo që janë në të vërtetë: një nga pasuritë më të çmuara natyrore dhe kulturore të Shqipërisë. Shpallja e tyre Park Kombëtar do të ishte një investim për brezat e sotëm dhe të ardhshëm, një akt përgjegjësie ndaj natyrës dhe një dëshmi se Shqipëria di të mbrojë e të vlerësojë thesaret e saj më të rralla.
Qytetar Nderi i Nikaj-Mërturit (pas vdekjes), 2015

Legjendari i shpisë së Ded Trimit, Murrec Sadria, ka lindur në vitin 1885 në fshatin Shëngjergj të fisit të Mërturit. Ishte djali i madh i Sadri Trimit dhe prirës i djelmnisë së Mërturit — një burrë trim, i urtë dhe i mençur, që nuk e mori dijen nga librat e shkollës, por nga brezat e paraardhësve dhe nga përvojat që ia solli jeta.
Rrethanat e vështira të kohës dhe shtypja e regjimit e detyruan Murrecin të braktisë kullën e familjen, duke iu përkushtuar luftës për atdheun në moshë shumë të re. U betua se nuk do të pajtohej kurrë me asnjë lloj regjimi dhe iu bashkua çetës luftarake të Bajram Currit, ku luftoi për pesë vjet me radhë dhe u bë krahu i tij i djathtë e më besnik.
Kur Cana Beg mori vesh se ishte bashkëluftëtar i Bajram Currit, deshi ta pushkatonte me varje në litar bashkë me Gjelosh Ramën e Currajt të Epërm, por bajraktarët e fiseve të Malësisë së Gjakovës nuk e lanë, sepse për pleqësitë dhe dijen e tij Murreci kishte qenë anëtar i pajtimit të gjaqeve në Malësi.
Gati ishte edhe kur e thirri mbreti Zog, por marrëveshjen nuk ia pranoi. I ofroi thesin me para vetëm që të vriste Tunxh Miftarin. Murreci ia ktheu shpejt: “Nalt madhni, si s’po t’vjen marre? Nuk e vras shoqin për para, as për para e pasuni; për një lek vritna me ty.”
Në vitin 1918 dha kontribut të madh duke ndihmuar në hapjen e shkollës së parë në Gjonpepaj, bashkë me bajraktarin e Nikajve, Sokol Bashën. Në vitet e para të çlirimit ka qenë kryetar i këshillit Nacional-Çlirimtar.
Regjimi komunist e arrestoi Murrecin bashkë me parinë e burrave të Nikaj-Mërturit, duke e burgosur në Kodër-Shëngjergj të Dukagjinit, ku bëri tre vjet burg. Pas tre vjetësh e nxorën nga burgu, duke hyrë dorëzanë Beqir Ndou i Mërturit dhe Sali Mani, bajraktar i Krasniqes në atë kohë.
Në vitin 1951, për shkak të kundërshtimit ndaj regjimit, Murreci u detyrua të braktisë kullën e familjen dhe u largua në Jugosllavi për pesë-gjashtë vjet. Në këtë kohë familjen ia çuan internim në kampin e Tepelenës — gruan me djalin tremuajsh, vëllanë me gruan e familjarë të tjerë — të cilët përjetuan tortura mizore, ndërsa shtëpia dhe e gjithë pasuria iu konfiskuan.
Murreci ndërroi jetë në moshën 87-vjeçare, më 16 janar 1972, natën e Shna Ndout, duke lënë pas gruan e tij Kajë Mirën me pesë fëmijë: Nikën, Gjinin, Bardhen, Zojën dhe Marinë. Kalvari i vuajtjeve për familjen nuk pati të sosur deri me ardhjen e demokracisë: si të persekutuar politikë, nuk i lanë as të arsimoheshin as të punësoheshin në ndërmarrje shtetërore, veçse në kooperativën bujqësore.
Në vitin 2015, Këshilli i Komunës Lekbibaj i dha titullin “QYTETAR NDERI I NIKAJ-MËRTURIT” (pas vdekjes), me motivacionin: “Patriot, atdhetar kontribues në luftën kundër regjimit të Zogut, bashkëpunëtor i Bajram Currit e Tunxh Miftarit.”
“E kujton sot historia, Nikaj-Mërturi e tanë Malësia.”
Nga Besnik Palnikaj

Gjokë Dosh Prekperaj lindi në vitin 1940 në Curraj të Poshtëm, një fshat me tradita të thella dhe vlera të larta familjare në zemër të Nikaj-Mërturit. U rrit në një familje punëtore, ku përkushtimi ndaj dijes dhe edukimit ishte pjesë e pandarë e vlerave që i mori me vete gjatë gjithë jetës.
Në një kohë kur arsimimi në zonat rurale përballej me sfida të mëdha, Gjokë Doshi arriti të përfundojë arsimin e lartë në degën bio-kimi, duke u bërë një ndër të parët në komunitetin e tij që arrinte këtë nivel. Në vitin 1960, vetëm 20 vjeç, u emërua drejtor i shkollës 8-vjeçare në Llugaj — fillimi i një karriere të gjatë në shërbim të arsimit.
Më pas drejtoi shkolla në Lekbibaj, Gjonpepaj, Shëngjergj, Geghysen, Salcë dhe Curraj të Epërm, dhe u bë drejtori i parë i shkollës së mesme në Gjonpepaj, ku ndikoi në formimin intelektual e moral të shumë brezave. Për disa vite shërbeu si drejtor i të gjitha shkollave të zonës së Nikaj-Mërturit.
Gjatë karrierës ishte autor kumtesash e referatesh mbi përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies dhe edukimin e fëmijëve në shkollat e zonës. Ai shquhej për përgatitjen e thellë shkencore dhe për qasjen metodike në drejtimin e shkollave.
Gjokë Doshi ndërroi jetë në vitin 1987, në rrethana tragjike te shkëmbi i Rajes, kur një gur i rëndë ra nga lart dhe ia mori jetën. Ishte një humbje e madhe jo vetëm për familjen, por për gjithë zonën e Nikaj-Mërturit. Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm u nderua pas vdekjes me “Urdhrin Naim Frashëri” të klasit të parë.
Kujtimi i tij jeton edhe në vargjet e poetit Fran Ukcamaj: “Heu, mbi maje të Kores, ku nuk dejet bora, / ku yjet me majat kapen grykë-grykë, / bekimin e zotit bash unë sot e mora, / dhe për Gjokë Doshin, si kaproll, jam ngjitë.”
Nxënësit dhe kolegët e kujtojnë si një udhëheqës që nuk kurseu asnjëherë përpjekjet për të sjellë ndryshim. Le ta kujtojmë Gjokë Doshin jo vetëm si mësues e drejtues, por si një njeri që ia kushtoi jetën edukimit dhe mirëqenies së të rinjve.