Kulturë

“HOMERËT” E KRAHINËS SË NIKAJ-MËRTURIT

Gjon Neçaj · 2026-08-22

“HOMERËT” E KRAHINËS SË NIKAJ-MËRTURIT

Mbaj mend se në fëmijërinë time të hershme, kur akoma nuk isha ulur në bangat e shkollës, nëna ime, ndjesë pastë, bijë e fisit dukagjinas, në netët e gjata të dimrit këndonte ninulla kreshnikësh. Më bënte përshtypje mënyra e të kënduarit të saj, duke i përthyer fjalët dhe emrat e përveçëm me një intonacion të veçantë, sikur të ishte artiste opere.

Ndër to përmendeshin më së shumti Gjeto Basho Muji, Ajkuna, Omeri, Balozi i Detit, këngë të mbledhura te Mirash Gjoni i Currajve të Epërm nga At Bernardin Palaj dhe Donat Kurti, si dhe vajet që përfundonin me atë refrenin e gjatë: “oi, oi, oiiiiii…”.

Ndoshta këto përjetime fëmijërore, që nuk harrohen kurrë, qenë zanafilla e kërkimeve të mia poetike. Këto frymëzime, që më kanë ndjekur gjatë gjithë jetës, buronin nga magjia e ambientit ku jetonin dhe ishin rritur të parët e mi, pikërisht në bjeshkët e maleve të egra të veriut të Shqipërisë, të cilat me bukurinë e tyre magjepsnin këdo që i vizitonte. E pikërisht këtu, shumë vonë, studiuesja e njohur Edith Durham zbuloi virtytet dhe karakterin e këtyre malësorëve, aq të ngjashëm me kreshnikët e eposit.

Krahina e Nikaj-Mërturit është e rrethuar nga të gjitha anët me maja të larta, me bjeshkë alpine dhe me shkëmbinj të thepisur, të cilët me pamjet e tyre shpesh krijojnë figura mitologjike. Çdokush që e viziton për herë të parë këtë krahinë, por që ka lexuar më parë edhe Eposin e Kreshnikëve, do ta besojë menjëherë se ky është vendi ku kanë jetuar kreshnikët.

Gjithsesi, nikajmërturasit janë lindur e rritur me këngët e kreshnikëve, ashtu si edhe këngët e kreshnikëve janë lindur e rritur në Nikaj-Mërtur. Këtë fakt e gjejmë të dëshmuar nga studiues të mëdhenj të folklorit, si Kieut (1737), Ami Boué (1836), G. Majer, M. Lamberc, G. J. Merturi, Shtjefën Gjeçovi, At Bernardin Palaj, Donat Kurti, M. Sirdani, Luigj Nosi e deri te studiuesi më i njohur i këtij eposi, Qemal Haxhihasani.

Shtëpia që s’kishte lahutë, bëhej me lahutë. Malësori që nuk i dinte këngët, i mësonte bashkë me lahutën, sepse ishte i bindur se këngët e kreshnikëve e burrërojnë njeriun, e bëjnë trim dhe i japin zemër të durojë plumbin, gjakun dhe luftërat ku treteshin meshkujt.

Nikaj-Mërturi këngën e ka pasur bashkudhëtare të jetës. Dasmori, festari, çobani, i pasuri dhe i varfri, rapsodi dhe lahutari, të gjithë kanë kënduar dhe janë dashuruar me këngën, fyellin, lahutën e çiftelinë.

Atje, në ato vise të largëta, ka kënduar i madh e i vogël. Atje folklori buron i pastër dhe i kristaltë si ujët e kulluar i gurrave bjeshkatare. Atje, mes atyre kreshtave kreshtëbardha deri te retë, ku bukuria e natyrës, paraqitja e nuses te kroi, netët e acarta me borë e murlan, plakeshin në odat e miqve me lojëra popullore, me lahutë, fyell e çifteli, aty lindi, u rrit dhe mori udhë kënga e këtij populli që zemra i këndonte dhe shpirti e ndiente.

Në foto: Sokol Martini i Brisës.
Në foto: Sokol Martini i Brisës.
  • #Epos i Kreshnikëve
  • #lahutë
  • #folklor
  • #Gjon Neçaj
  • #trashëgimi

Artikuj të ngjashëm