Opinion
SHQIPNIA ËSHTË E TË GJITHËVE — BASHKIMI I BESIMEVE
Besnik Nikoll Palnikaj · 2026-08-23

Një Musliman shqiptar nuk asht Arab as Turk, sikurse një Katolik shqiptar nuk asht as Ortodoks Serb e as Grek. Na mund të kemi besime të ndryshme, por kemi një gjuhë, një tokë, një histori e mbi të gjitha, një atdhe. Shumë gjaku u derdh për këtë tokë nga deshmor me besime të ndryshme.
Shumë Muslimanë e Katolikë nuk e kanë zgjedhë fenë e tyne; kanë lindë në familje të tilla, kanë trashëgue besimin e të parëve dhe e kanë ba pjesë të jetës së tyne.
E të gjithë e dijmë se ka vetëm një Zot, Krijuesin. Askush s'ka pse me mendue se e ka Zotin ma afër se tjetri, as me e përdorë fenë për me e nda shqiptarin prej shqiptarit. Nuk ban as me sha fenë e dikujt, as me shit mend me fenë tane si burrë ma i mir.
Sot, kur Shqipnia asht në mjerim, kur toka e saj ndodhet në pazar, e coptume ne disa shtete, kur prona e pasunia e shqiptarëve po shiten e po tjetërsohen, kur fshatrat tona janë mbushë me pleq e kanë mbetë me pak banorë, nga shpopullimi për një jetë më të mirë i rinisë tonë.
Jo, vllazën.
Sot na duhet me e pa njani-tjetrin në sy si shqiptarë.
Na duhet me u bashkue për me i dhanë frymë e jetë këtij kombi. Për me mbrojtë tokën, familjen, gjuhën, historinë e të ardhmen e fëmijëve tanë.
Se Shqipnia nuk asht vetëm e Katolikut.
Nuk asht vetëm e Muslimanit.
Nuk asht vetëm e Bektashiut.
Shqipnia asht e të gjithëve.
Katolikë e Muslimanë jemi vllazën. Bektashinj e besime të tjera janë pjesë e së njëjtës shtëpi.
Kemi një nanë.
Që thirret Shqipni.
E sa të jemi gjallë, kjo tokë duhet me pasë shqiptarë mbi të, me besime të ndryshme, por me zemër shqiptare.
Mos ta lejojmë fenë me na nda.
Mos ta lejojmë politikën me na përça.
Mos ta shesim njeni-tjetrin për interesa të kota.
Tash asht koha me u bashkue.
Për Shqipninë.
Për trojet tona.
Për fëmijët tanë.
Për një Shqipni të re.
Besnik Nikoll Palnikaj
- #bashkim
- #feja
- #shqiptar
- #katolikë
- #muslimanë
- #opinion
- #Shqipnia