Opinion
A PO E SHKATËRROJMË TURIZMIN MALORË NË TROPOJË ME ÇMIMET, USHQIMIN DHE SHËRBIMIN, A DUHET TË NDALIM DHE TË REFLEKTOJMË!?
Eva Vatoci · 2026-08-23 ·

Sa herë shkoj në Valbonë, më magjeps natyra dhe njëkohësisht më dhemb në shpirt mënyra se si po trajtohet një nga pasuritë më të mëdha turistike që kemi.
Valbona mund të ishte pa diskutim një nga destinacionet më të mira të turizmit malor në Ballkan. Por sot, për fat të keq, po dëmtohet pikërisht nga ato gjëra që duhet ta bënin më të fortë: cilësia e ushqimit, çmimet e larta dhe një shërbim që në shumë raste është shumë larg standardit që kërkon një destinacion turistik.
Këtë nuk e them vetëm nga një përvojë personale. Me këdo që flet për turizmin në Veri, aq më shumë në Tropojë e në Valbonë, pakënaqësia është e dukshme dhe shpesh arrin majat. Dhe kur një shqetësim përsëritet vazhdimisht nga turistë e vizitorë të ndryshëm, nuk mund të trajtohet më si një rast i veçuar. Duhet dëgjuar dhe analizuar.
Kush udhëton deri në Valbonë nuk kërkon vetëm të shohë malet. Kërkon të përjetojë Valbonën.
Kërkon fli të pjekur në saç me zjarr, jo në furrë elektrike; mish nga bagëtia e rritur në kullotat e maleve; fruta e perime të zonës; bylmet vendas dhe produkte autentike, jo ushqime të importuara nga vende të tjera që mund të gjenden në çdo supermarket.
Nëse në zemër të Alpeve shqiptare turisti ulet në një tavolinë dhe gjen produkte pa lidhje me territorin, atëherë kemi humbur një nga avantazhet më të mëdha që na ka dhënë natyra: autenticitetin.
Edhe çmimet duhet të jenë në raport të drejtë me atë që ofrohet. Dy racione fli dhe dy gota dhallë për 900 lekë të reja janë vetëm një shembull. Problemi nuk është vetëm shifra. Problemi është kur çmimi i lartë bashkohet me cilësi të dobët, shërbim të dobët dhe mungesë të produktit vendas.
Turisti nuk duhet të ndihet sikur po paguan një "taksë" vetëm sepse ka mbërritur në Valbonë.
Ai duhet të paguajë për një përvojë që ia vlen.
Dhe këtu duhet të bëjmë një ndarje të qartë: kjo nuk është kritikë ndaj gjithë atyre që punojnë me përkushtim dhe dinjitet në turizëm. Ka njerëz dhe biznese që bëjnë punë shumë të mirë. Por pikërisht për këtë arsye, standardet e dobëta nuk duhet të normalizohen.
Valbona nuk po dëmtohet nga mungesa e bukurisë. Përkundrazi. Po rrezikon të dëmtohet nga mënyra se si po e shesim dhe po e administrojmë atë bukuri.
Një destinacion nuk mbahet vetëm me male, lumenj dhe fotografi të bukura. Mbahet me ushqim cilësor, produkte vendase, çmime të arsyeshme, pastërti, profesionalizëm dhe mbi të gjitha kulturë shërbimi.
Prandaj kjo është një thirrje për reflektim: mos ta konsumojmë Valbonën për fitimin e sotëm dhe të humbasim turistin e së nesërmes.
Sepse Valbona është shumë më e madhe se çdo biznes, çdo tavolinë dhe çdo faturë.
Valbona meriton të jetë një nga destinacionet më të mira të Ballkanit. Por për këtë nuk mjafton ajo që na ka falur Zoti. Duhet të dimë edhe ta respektojmë atë që kemi.
Nga: Eva Vatoci
- #Valbona
- #Tropojë
- #turizëm malor
- #ushqim
- #çmime
- #shërbim
- #opinion
Komente
Kushdo mund të komentojë, kyçu me llogarinë tënde sociale ose shkruaj emrin.
Kyçu me rrjetet sociale
Duke ngarkuar komentet…