Komuniteti
SHËNGJERGJ — BASHKË PËR ZGJIDHJEN E PROBLEMEVE TË FSHATIT
Ndok Malaj · 2026-08-23

Shumë faleminderit dhe shumë respekt për të gjithë pjesëmarrësit në takimin e organizuar së bashku në qendrën e fshatit tonë, Shëngjergj, sot, më datë 23 gusht 2026.
Në këtë takim shkëmbyem mendime dhe diskutuam mbi problemet më emergjente që shqetësojnë fshatin tonë, si dhe mbi mundësitë për të bërë diçka konkrete në të ardhmen.
Nga diskutimet e zhvilluara, problemet më emergjente dhe nevojat që u evidentuan si domosdoshmëri për t'u realizuar në fshatin tonë ishin:
**1. Infrastruktura rrugore** Përmirësimi dhe mirëmbajtja e rrugëve në të gjithë territorin e fshatit.
**2. Rrjeti elektrik** Ndërhyrja për përmirësimin e rrjetit elektrik, i cili është shumë i amortizuar.
**3. Uji i pijshëm dhe uji për vaditje** Zgjidhja e problemit të furnizimit me ujë të pijshëm, si dhe sigurimi i ujit për vaditje.
**4. Dokumentacioni i pronësisë** Pajisja e të gjithë banorëve të fshatit me dokumentet e pronësisë për pronat që disponojnë, përfshirë edhe pronat e trashëguara nga të parët, si shtëpitë dhe tokat.
**5. Mirëmbajtja e varrezave** Kujdesi dhe mirëmbajtja e varrezave të fshatit, si një detyrim ndaj të parëve tanë dhe një përgjegjësi e përbashkët e komunitetit.
**6. Komunikimi dhe bashkëpunimi** Mbajtja e kontakteve të vazhdueshme dhe bashkëpunimi për problemet që lindin në fshatin tonë, me synimin për t'i adresuar dhe zgjidhur ato në mënyrë sa më të organizuar.
Për të gjitha këto çështje, si dhe për problematika të tjera që mund të lindin në të ardhmen, u kërkua dakordësia që të kërkohet mbështetja e pushtetit vendor, atij lokal dhe, kur të jetë e nevojshme, edhe e institucioneve qendrore.
Njëkohësisht, u vlerësua si shumë e rëndësishme edhe mbështetja e vetë banorëve të Shëngjergjit, kudo që jetojnë dhe punojnë. Vetëm përmes bashkëpunimit dhe angazhimit të përbashkët mund të bëjmë hapa konkretë për zgjidhjen e problemeve që shqetësojnë fshatin tonë.
Në fund, dua të përshëndes dhe t'u uroj çdo të mirë të gjithë banorëve dhe ish-banorëve të Shëngjergjit, të cilët, për arsye të ndryshme, nuk patën mundësinë të ishin pjesë e këtij takimi.
Uroj që ata të jenë pjesë e takimeve dhe vendimmarrjeve të ardhshme, në interes të fshatit tonë dhe të komunitetit tonë.
Me respekt, Ndok Malaj
- #Shëngjergj
- #komuniteti
- #infrastrukturë
- #Nikaj-Mërtur