Komuniteti

GJON DHE ALEKS MARKAJ – VAZHDIMËSIA E TRADITËS SË MJESHTËRVE TË GURIT DHE DRURIT

Afrim Gjergji · 2026-08-22

GJON DHE ALEKS MARKAJ – VAZHDIMËSIA E TRADITËS SË MJESHTËRVE TË GURIT DHE DRURIT

Në Lekbibaj të Tropojës, ashtu si në mbarë trevat e Nikaj-Mërturit, jeta ka qenë gjithmonë e lidhur ngushtë me punën, sakrificën dhe përballjen me natyrën e ashpër malore. Breza të tërë banorësh kanë ndërtuar jetën e tyre me mund e përkushtim, duke hapur toka të reja, duke ngritur kanale vaditëse, stane e pojata, si dhe duke ndërtuar shtëpi që edhe sot mbeten dëshmi e mjeshtërisë së rrallë të kësaj zone.

Shtëpitë karakteristike prej guri, me qoshe të punuara me kujdes, të ndërtuara me rërë lumi dhe gëlqere të prodhuar në vend, të mbuluara me rrasa guri ose dërrasa pishe e ahu, përfaqësojnë një trashëgimi të çmuar arkitekturore dhe kulturore. Kjo traditë është ruajtur ndër breza falë mjeshtërve të gurit dhe drurit, emrat e të cilëve vazhdojnë të jetojnë përmes veprave që kanë lënë pas.

Sot, kjo trashëgimi po vazhdohet me dinjitet nga dy të rinj të talentuar, Gjon dhe Aleks Markaj, të lindur dhe rritur në fshatin Markaj të Mërturit.

Gjon Markaj ka lindur më 9 qershor 1998, ndërsa vëllai i tij, Aleks Markaj, më 26 korrik 1999. Të dy kanë përfunduar arsimin e mesëm në shkollën “Tinka Kurti” në Lekbibaj. Familja e tyre njihet në gjithë krahinën si një familje e ndershme, punëtore dhe me tradita të mira.

Në vitin 2018, dy vëllezërit morën rrugën e emigrimit drejt Greqisë, ku u vendosën në ishullin e Mikonosit. Aty nisën të ushtrojnë profesionin e gurgdhendësit, duke fituar shpejt vlerësimin e punëdhënësve për cilësinë dhe përkushtimin në punë. Mjeshtëria e tyre tërhoqi vëmendjen e pronarëve vendas, të cilët u ofruan mundësi për të vazhduar jetën dhe aktivitetin profesional në Greqi.

Megjithatë, lidhja me vendlindjen mbeti gjithmonë e fortë. Pas viteve të punës dhe sakrificës, Gjoni dhe Aleksi u rikthyen në Markaj, ku realizuan një ëndërr të hershme: ndërtimin e një kulle tradicionale prej guri. Çdo detaj i saj, nga muret masive deri te qoshet e punuara me kujdes, dëshmon pasionin dhe aftësinë e tyre profesionale.

Banorët e zonës dhe kalimtarët që kanë parë procesin e punimit të gurëve në aksin Dushaj–Lekbibaj, në Markaj, kanë mbetur të impresionuar nga preciziteti dhe mjeshtëria me të cilën dy vëllezërit i japin formë gurit.

Tradita artizanale në familjen e tyre ka rrënjë të thella. Gjoni dhe Aleksi janë nipat e mjeshtrit të njohur të drurit, Nikë Zefi i Lotajve, i cili ka lënë pas punime të admirueshme, veçanërisht në ndërtimin dhe dekorimin e tavaneve tradicionale, që edhe sot vlerësohen për bukurinë dhe finesën e tyre.

Gjatë një takimi të zhvilluar së fundmi në Dushaj, pata mundësinë të bisedoj me Gjonin dhe Aleksin. Përveç profesionalizmit, ata spikasin për thjeshtësinë, edukatën dhe vizionin për të ardhmen. Në koleksionin e fotografive të punimeve të tyre gjenden dhjetëra projekte të realizuara në Greqi, Tropojë, Pukë, Has dhe zona të tjera, si dhe plane për ndërtime të reja hotelesh, bujtinash dhe objektesh turistike me gur, të frymëzuara nga arkitektura tradicionale shqiptare.

Gjoni dhe Aleksi përfaqësojnë më së miri brezin e ri që jo vetëm ruan zanatet e trashëguara, por i zhvillon ato sipas kërkesave të kohës. Ata janë një arsye krenarie për familjen, fisin dhe mbarë krahinën e Nikaj-Mërturit, duke dëshmuar se tradita dhe mjeshtëria vazhdojnë të jetojnë përmes duarve dhe punës së brezave të rinj.

Gjoni dhe Aleksi Markaj para kullës së ndërtuar prej tyre në Markaj.
Gjoni dhe Aleksi Markaj para kullës së ndërtuar prej tyre në Markaj.
Punime në gur, dëshmi e mjeshtërisë së dy vëllezërve.
Punime në gur, dëshmi e mjeshtërisë së dy vëllezërve.
  • #Markaj
  • #mjeshtëri
  • #gur
  • #traditë
  • #Lekbibaj

Artikuj të ngjashëm