Komuniteti
KUJTESË DHE KRENARI: TRE BURRA NGA PALÇI, QYTETARË NDERI TË TROPOJËS
Redaksia Nikaj Mertur News · 2026-08-23

Duke vlerësuar gjithë katundin e Palçit, pasi çdo shtëpi e këtij katundi ka nxjerrë figura për t’u krenuar e për t’u mburrur, në këtë rast të veçantë, në përvjetorin e tretë të ndarjes nga jeta të të ndjerit Kolë Buja, dritë e diell i pastë shpirti, ndalemi për të veçuar tre personalitete që në dekadën e fundit, me punën dhe përkushtimin e tyre, kanë arritur rezultate që bëjnë krenar jo vetëm Palçin, por mbarë Nikaj-Mërturin.
Këta janë Kolë Buja, Kolë Mala dhe Gjin Gjoli. I ndjeri Kolë Buja kujtohet me respekt e mirënjohje, ndërsa Kolë Mala dhe Gjin Gjoli i urojmë jetë të gjatë e të lumtur.
Të tre këta burra janë vlerësuar për kontributet e tyre në fusha të ndryshme me certifikata nderi dhe mirënjohje, si dhe janë nderuar nga Bashkia e Tropojës me titullin “Qytetar Nderi i Tropojës”. Tre figura të nderuara nga Nikaj-Mërturi përfaqësojnë vlera të larta njerëzore, profesionale dhe qytetare, duke lënë gjurmë të rëndësishme në jetën publike dhe shoqërore të Tropojës dhe më gjerë.
Kolë Mala është një nga figurat më të njohura në administratën shtetërore. Për vite me radhë ka drejtuar Ndërmarrjen Pyjore të rrethit të Tropojës, ku u dallua për përkushtim dhe rezultate konkrete. Më pas ka mbajtur poste të rëndësishme në nivel kombëtar, si drejtues i sektorit të pyjeve dhe kullotave, si dhe ka shërbyer dy herë si prefekt në qarqet Shkodër dhe Lezhë. Titulli “Qytetar Nderi i Tropojës” i është akorduar si vlerësim për kontributin e tij të gjatë dhe të çmuar.
Kolë Buja është nderuar pas vdekjes me titullin “Qytetar Nderi i Tropojës”, për kontributet e tij të vyera në arsim, në promovimin e turizmit dhe në hulumtimin e historisë së zonës së Nikaj-Mërturit dhe të gjithë rrethit të Tropojës. Ai mbetet një publicist dhe aktivist i palodhur, që punoi me pasion për ruajtjen dhe promovimin e vlerave të kësaj treve.
Gjin Gjoli, me prejardhje nga një familje me tradita të forta patriotike dhe burrërore, ka dhënë kontribut të rëndësishëm në strukturat e rendit. Ai ka shërbyer si komisar policie dhe e ka përmbyllur karrierën me vlerësime dhe nderime për profesionalizëm dhe korrektësi në detyrë. Për punën dhe respektin që fitoi në komunitet, edhe atij iu akordua titulli “Qytetar Nderi i Tropojës”.
Nikaj-Mërturi mbetet një trevë që gjithmonë ka nxjerrë burra të denjë, të cilët kanë dhënë më të mirën e tyre në shërbim të vendit dhe shoqërisë.
Me respekt kujtojmë Kolë Bujën, urojmë shëndet dhe suksese për Kolë Malën dhe jetë të gjatë e të mbarë për Gjin Gjolin.
- #Palç
- #Qytetar Nderi
- #Kolë Buja
- #Kolë Mala
- #Gjin Gjoli