Kulturë
Lahuta, vegla muzikore më e vjetër e Nikaj-Mërturit
Besnik Palnikaj · 2026-08-28 ·

Lahuta është vegla muzikore më e vjetër dhe më e rëndësishme në krahinën e Nikaj-Mërturit.
Ajo është instrument muzikor kordofon dhe njihet si një ndër instrumentet më të vjetra dhe më primitive, jo vetëm në veri, por edhe në Shqipëri e më tej.
Trupi i lahutës punohet kryesisht prej druri të panjës, por mund të punohet edhe nga druri i pishës, i krekcit, manit, arrës, verrit etj.
Pjesa e lugët e lahutës mbulohet me lëkurë të tërhequr të edhit, por është përdorur edhe lëkura e lopës.
Harku i lahutës kryesisht punohet nga degët e thanës, me qime të bishtit të kalit.
Në vend të telave, te lahuta vendosen dyzet fije të bishtit të kalit, të tërhequra e të lidhura te koka e lahutës. Këto fije kalojnë nëpër një vrimë përmes "kalit", një objekt i vogël prej druri që vendoset mbi zhark, mbi të cilin kalojnë fijet.
Koka e bishtit të lahutës, në Nikaj-Mërturi shpesh gdhendet në formën e kokës së dhisë së egër. Ka edhe mjeshtra që mbi lahutë gdhendin përkrenaren e Skënderbeut, shqiponjën ose figura të tjera.
Tingulli prodhohet duke prekur me hark fijet e lahutës, ndërsa akordet ndryshohen duke shtypur fijet me gishtat e dorës tjetër. Lahutari luan zakonisht ulur këmbëkryq, ose në stol apo karrige.
Me lahutë është kënduar eposi i kreshnikëve, që i përket epikës legjendare, por edhe këngë epike historike.
Ka pasur raste që edhe femrat Nikaj-Mërturase kanë qenë interpretuese të këngëve kreshnike.
## Kadë Ahmatja: lahutarja e shekullit XVIII
Këtu përmendim Kadë Ahmatin, nga Brashta e Gjonpepajve, motra e Hajdar Ahmatit, e cila ka kënduar me lahutë që në shekullin XVIII.
> "Hajdar Ahmati, shumë i njohur si lahutar, me trup të madh (edhe sot në Nikaj-Mërturi, kur dikush ka këmbën e madhe thuhet: 'e paska këmbën si të Hajdar Ahmatit'), trim i pashoq në luftë…"
Një natë, gjaksit e kishin parë Hajdarin që ishte nisur për në festë në Shalë. Sapo erret nata, gjaksit rrethojnë shtëpinë dhe bëhen gati t'i venë flakën kullës, me rob e gjë brenda.
Kada, ndërkohë që kupton se shtëpia është rrethuar, merr lahutën dhe fillon këngën, duke imituar zërin e të vëllait, Hajdarit.
Gjaksit sapo dëgjojnë këngën e lahutës, duke menduar se i zoti i shtëpisë është kthyer, thonë:
> "O burra, t'ikum, se paska ardhë Hajdari e na shkrin tanëve!"
Të nesërmen, të habitur, shikojnë Hajdar Ahmatin duke zbritur në Lugun e Ndërmajës me pushkë në krah e duke kënduar.
Brenda asaj dite, të gjitha fiset e Malësisë e morën vesh se Kadë Ahmatja, me këngë e lahutë, shpëtoi kullën pa u djegur me rob e gjë brenda.
Thuhet se veprimi i saj i guximshëm ka qenë shkak që gjaksit t'i falnin borxhin e gjakut.
## Lahutarët e Nikaj-Mërturit
Nikaj-Mërturi ka pasur lahuta dhe lahutarë pothuajse në çdo shtëpi.
Po përmendim disa prej lahutarëve dhe këngëtarëve të këngëve me lahutë pas viteve 1900:
- **Mirash Gjoni** (Curraj i Epër), i njohur edhe si lahutari i këngës "Ajkuna kan Omerin" - **Ukshin Brahimi** (Mulaj) - **Mhill Preka** (Curraj i Epër) - **Sokol Martini** (Brisë) - **Pal Qerimi** (Salcë) - **Mark Dedë Malaj** (Shëngjergj) - **Zef Avdia** (Curraj i Epër) - **Miter Kola** dhe **Mark Mitri** (Lekbibaj) - **Ded Sokoli** (Shëngjergj) - **Syk Papleka** (Lekbibaj) - **Zef Markoka** (Rajë)
Nga të rinjtë:
- **Zef Beka** (Palç) - **Sokol Mulaj** (Mulaj) - **Goflle Paplekaj** (Lekbibaj)
- #lahuta
- #muzikë tradicionale
- #kulturë
- #Nikaj-Mërtur
- #epika e kreshnikëve
- #folklor
Komente
Kushdo mund të komentojë, kyçu me llogarinë tënde sociale ose shkruaj emrin.
Kyçu me rrjetet sociale
Duke ngarkuar komentet…