Opinion
GRATË E DY FISEVE TONA — historia që nuk u përmend mjaftueshëm
Ela Vukaj · 2026-08-22

Kur flasim për zonën tonë Nikaj-Mërtur, flasim për një nga trevat më të njohura dhe më të lashta të Malësisë së veriut. Flasim për dy fise me histori, me traditë, me qëndresë dhe me njerëz që ndër shekuj kanë ditur të përballen me vështirësitë e kohës.
Në tregime, libra dhe këngët tona përmenden ngjarje, burra të mençur e trima, familje dhe breza që kanë lënë gjurmë në histori.
Por ka një pjesë të kësaj historie që rrallë është shkruar me të njëjtën vëmendje: roli i femrës, roli i gruas. Ndoshta sepse ato nuk e kërkuan kurrë vendin që meritonin. Ndoshta sepse u mjaftonte të bënin detyrën e tyre. Ndoshta sepse sakrifica e tyre konsiderohej e zakonshme. Por pikërisht aty qëndron padrejtësia e heshtur e historisë sonë.
Sepse Nikaj-Mërturi nuk do të ishte çfarë është sot pa rolin e gruas. Pa ato gra që u zgjuan para agimit dhe e mbyllën ditën të fundit. Pa ato që rritën fëmijë në kushte të vështira, që mbajtën familjet dhe pritën mysafirë me apo pa kushte. Pa ato që bartën barrën e jetës me dinjitet, pa ankesa dhe pa kërkuar mirënjohje.
Historia e kësaj treve nuk është ndërtuar vetëm nga pushka, kanuni dhe fjala e burrave. Ajo është ndërtuar edhe nga duart e grave që punuan tokën, rritën fëmijët, mbajtën gjallë traditat dhe përcollën te brezat vlerat më të mira të kësaj ane.
Disa prej tyre kanë histori aq të dhimbshme sa mund të kishte libra për to. Nuk lanë pas fjalime e deklarata. Shumica nuk kërkuan kurrë të përmendeshin. Por kjo nuk do të thotë se meritat e tyre janë më të vogla. Përkundrazi. Pas çdo familjeje që qëndroi e fortë, ishte një grua. Pas çdo fëmije që u rrit me nder dhe edukatë, ishte një nënë. Pas çdo burri që historia e kujtoi, ishte shpesh një grua që sakrifikoi në heshtje.
Shpesh flasim për trimërinë si një cilësi burrash. Por trimëri është edhe të përballosh jetën çdo ditë. Të mbash familjen në këmbë kur mungon gjithçka. Të përballesh me halle, me varfëri, me humbje e me pasiguri, dhe përsëri të vazhdosh të buzëqeshësh për fëmijët e tu. Të mos dorëzohesh. Të mos e humbësh besimin.
Edhe kjo është trimëri. Gratë e Nikaj-Mërturit kanë qenë pikërisht të tilla. Të forta pa zhurmë. Të mençura pa mburrje. Punëtore pa kërkuar lavdërime. Zemërmëdha pa bërë kurrë llogari për atë që jepnin.
Dhe kjo nuk i përket vetëm së kaluarës. Edhe sot, vajzat dhe gratë me rrënjë nga Nikaj-Mërturi vazhdojnë të mbajnë me krenari trashëgiminë e kësaj treve. Ato studiojnë, punojnë, krijojnë familje, ndërtojnë karriera dhe përfaqësojnë me dinjitet vendin nga vijnë. Disa jetojnë ende në trojet e të parëve, të tjera janë shpërndarë në Shqipëri e në mbarë botën. Por kudo që ndodhen, ato mbajnë me vete forcën, urtësinë dhe karakterin që kjo trevë ua ka dhënë.
Nuk është e nevojshme të përmendim emra. Sepse ky nuk është një shkrim për disa gra. Është një shkrim për të gjitha ato. Për ato që jetuan para nesh dhe nuk morën kurrë vlerësimin që meritonin. Për ato që jetojnë sot dhe vazhdojnë të japin më shumë sesa marrin. Për ato që rritën breza të tërë dhe mbetën në hijen e historisë. Për ato që sakrifikuan gjithçka që fëmijët e tyre të kishin më shumë mundësi. Për ato që mbajtën mbi supe peshën e jetës dhe përsëri gjetën forcë të falnin dashuri.
Nëse historia e Nikaj-Mërturit është një histori krenarie, atëherë ajo krenari u takon edhe grave të kësaj treve. Jo si një shtojcë e historisë, por si një pjesë themelore e saj. Sepse historia e Nikaj-Mërturit nuk është vetëm historia e burrave që përmenden. Është edhe historia e grave që nuk u përmendën mjaftueshëm. Dhe ndoshta ka ardhur koha që, të paktën për një çast, t'u japim vendin që u takon. Jo për hir të së kaluarës. Por për hir të së vërtetës.
- #Nikaj-Mërtur
- #grate
- #traditë
- #opinion