Opinion
Diskriminim total ndaj Veriut të Shqipërisë: infrastrukturë rrugore skandaloze
Baci Vatnikaj (Nga Shkodra) · 2026-08-25 ·

Kemi shkruar disa herë për Rrugën e Kombit dhe për të gjitha rrugët që të çojnë drejt Veriut të Shqipërisë: nga Tirana në Qafë-Morinë, në Muriqan, në Han të Hotit, në Vermosh e në të gjitha skajet e tjera të Veriut, pa përmendur qytetet dhe zonat e tjera veriore.
Tashmë jemi të gjithë dëshmitarë të gjendjes së infrastrukturës rrugore në Veri. Mjafton që secili të ketë udhëtuar të paktën një herë në këto zona për ta parë nga afër realitetin.
Infrastruktura është në gjendje skandaloze dhe trafiku është kthyer në një problem të madh. Sidomos gjatë sezonit veror, udhëtimi nga Tirana drejt Shkodrës dhe anasjelltas mund të zgjasë me orë të tëra. Ka raste kur përshkimi i një distance që normalisht do të kërkonte shumë më pak kohë, zgjat deri në gjashtë orë për shkak të trafikut.
Por, përveç gjendjes së rrugëve dhe kohës së gjatë që humbasim në trafik, qytetarët duhet të paguajnë edhe dy tarifa rrugore: njëra në Kashar, në Tiranë, dhe tjetra në Kalimash, në aksin që lidh vendin me Kukësin, Kosovën dhe Tropojën.
Sinqerisht, do të ishim shumë më të ndërgjegjshëm për të paguar këto tarifa rrugore, nëse rrugët do të kishin parametrat dhe standardet që kanë vendet e tjera të zhvilluara.
E bëj këtë postim për t'ua kujtuar të gjithë malsorëve të Shqipërisë, vëllezërve tanë nga Kosova dhe mbarë banorëve të Veriut:
**Deri kur do të qëndrojmë të diskriminuar dhe të lënë pas dore?**
A nuk kemi të drejtë të kërkojmë rrugë të sigurta, infrastrukturë dinjitoze dhe shërbime publike në nivelin që meritojnë qytetarët e këtij vendi?
Qeveritë ndërrohen, por Veriu vazhdon të përballet me të njëjtat probleme. Trafiku, rrugët, mungesa e investimeve dhe kostot e larta të udhëtimit janë bërë pjesë e përditshmërisë së qytetarëve.
Këtë çështje e kemi trajtuar dhe diskutuar gjerësisht edhe një vit më parë, në Kuvendin e Veriut, i cili u zhvillua në kryeqendrën e Mirditës, në qytetin e Rrëshenit.
Në atë aktivitet morën pjesë përfaqësues nga shumë rrethe të Shqipërisë, autoritete të ndryshme dhe përfaqësues të Diasporës.
Me këtë rast, dua t'i përshëndes të gjithë pa përjashtim dhe në veçanti kryesinë e atij Kuvendi, me kryetarin e tij, z. Genc Pacuku.
Mendoja se nuk do të kalonte as gjashtëmujori i parë i vitit 2026 pa u hequr disa prej këtyre barrierave dhe tarifave që rëndojnë mbi qytetarët.
Por ndërkohë, shërbimet rrugore dhe infrastruktura në shumë zona të Veriut mbeten në nivel zero.
Kjo është një padrejtësi e dukshme për popullsinë e Veriut dhe një diferencim që nuk mund të justifikohet, sepse jemi të gjithë qytetarë të të njëjtit shtet, si Jugu, ashtu edhe Veriu i Shqipërisë.
Presim sugjerimet, mendimet dhe reagimet tuaja, ashtu siç i ndjeni dhe i mendoni me sinqeritet e ndërgjegje.
Falënderoj të gjithë ata që e ngrenë zërin në institucionet dhe instancat e shtetit, duke kërkuar që të bëhet diçka e mirë dhe konkrete për zhvillimin e zonave të Veriut.
Ju përshëndes përzemërsisht, me shumë respekt dhe mirënjohje për të gjithë ju.
Me shumë respekt, **BACI VATNIKAJ** Nga Shkodra
- #Veriu
- #infrastrukturë
- #Rruga e Kombit
- #Kalimash
- #Kashar
- #Kuvendi i Veriut
- #Kosova
- #Tropojë
Komente
Kushdo mund të komentojë, kyçu me llogarinë tënde sociale ose shkruaj emrin.
Kyçu me rrjetet sociale
Duke ngarkuar komentet…