Aktualitet
HAPET NË PALÇ SEZONI TURISTIK NË NIKAJ-MËRTUR
Nikaj-Mërtur News · 2026-08-22

Palçi i Mërturit mirëpriti një nga aktivitetet më të rëndësishme të këtij sezoni, duke u bërë vendi ku u zhvillua ceremonia e hapjes së sezonit turistik në Nikaj-Mërtur. Aktiviteti u organizua në kuadër të inaugurimit të kompleksit turistik të vëllezërve Malaj, një investim i ri që pasuron ofertën turistike të zonës dhe krijon mundësi të reja për zhvillimin e turizmit malor.
Në këtë ngjarje morën pjesë banorë të zonës, të ftuar nga treva të ndryshme shqiptare, përfaqësues institucionesh, biznesmenë, intelektualë dhe dashamirës të Nikaj-Mërturit. I pranishëm ishte edhe Kryetari i Bashkisë Tropojë, Rexhë Byberi, i cili përshëndeti pjesëmarrësit dhe vlerësoi investimet private që po kontribuojnë në zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë lokale.
Atmosfera festive nisi me fjalët përshëndetëse të moderatorit Ndoc Malaj dhe vijoi me programin artistik, ku interpretuan artistët e njohur Gjokë Mulaj dhe Zef Beka. Këngët, vallet dhe muzika tradicionale krijuan një atmosferë të veçantë, duke sjellë në qendër vlerat kulturore dhe traditat e Malësisë së Gjakovës.
Pjesë e rëndësishme e aktivitetit ishte ceremonia e ndarjes së titujve dhe mirënjohjeve nga Bashkia Tropojë për personalitete që kanë dhënë kontribut të çmuar në kulturë, arsim, çështje kombëtare dhe zhvillimin e komunitetit.
Me titullin “Qytetar Nderi i Tropojës” u nderua këngëtari, kompozitori dhe mësuesi i mirënjohur Gjokë Mulaj, një prej figurave më përfaqësuese të kulturës së Malësisë. Për më shumë se gjashtë dekada ai ka qenë zëri artistik i Nikaj-Mërturit, Tropojës dhe trojeve shqiptare, duke krijuar dhe interpretuar qindra këngë që ruajnë dhe promovojnë historinë, traditat dhe identitetin e kësaj treve.
Po me titullin “Qytetar Nderi i Tropojës” u nderua edhe Musa Berisha, në vlerësim të kontributit të tij atdhetar dhe pjesëmarrjes në luftën për çlirimin e Kosovës. Vlerësimi i tij u prit me respekt nga të pranishmit, si një mirënjohje për sakrificat e bëra në shërbim të lirisë dhe çështjes kombëtare.
Gjatë ceremonisë, Bashkia Tropojë akordoi mirënjohje edhe për gazetarin dhe publicistin Besnik Palnikaj, me motivacionin: “Për kontributin e dhënë në promovimin e vlerave të kulturës dhe traditës së Nikaj-Mërturit dhe Tropojës”. Përmes punës së tij mediatike, publicistike dhe dokumentuese, ai ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në evidentimin dhe promovimin e historisë, kulturës, figurave dhe trashëgimisë së kësaj treve, duke e bërë Nikaj-Mërturin më të njohur brenda dhe jashtë vendit.
Mirënjohje iu akordua gjithashtu Nikoll Lush Prognit, për kontributin e gjatë dhe punën e palodhur në edukimin e brezave. Për dekada me radhë ai ka qenë një nga mësuesit më të respektuar të zonës, duke lënë gjurmë të rëndësishme në formimin dhe edukimin e shumë brezave të rinj.
Mes të vlerësuarve ishte edhe Gjergj Gecaj, me origjinë nga Palçi i Mërturit, i cili prej vitesh jeton në Gjakovë, por ka ruajtur gjithmonë lidhje të forta me vendlindjen dhe ka kontribuar vazhdimisht në mbështetje të nismave dhe aktiviteteve në dobi të komunitetit.
Po ashtu u nderua me mirënjohje edhe Mark Lulash Sokoli, për mbështetjen e vazhdueshme ndaj projekteve zhvillimore në Nikaj-Mërtur. Edhe pse prej vitesh jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ai ka qenë vazhdimisht pranë investimeve dhe nismave që lidhen me zhvillimin e infrastrukturës, promovimin e turizmit dhe përmirësimin e jetës së komunitetit.
Hapja e sezonit turistik në Palç dëshmoi edhe një herë potencialin e madh që ka Nikaj-Mërturi për zhvillimin e turizmit malor, kulturor dhe natyror. Bukuritë e rralla të natyrës, traditat e ruajtura ndër breza, mikpritja karakteristike e banorëve dhe investimet e reja po e bëjnë këtë trevë gjithnjë e më tërheqëse për vizitorët.
Aktiviteti u mbyll në atmosferë festive, mes këngës, valleve dhe takimeve miqësore, duke përcjellë një mesazh optimizmi për të ardhmen e turizmit në Nikaj-Mërtur dhe për rolin që komuniteti vendas dhe diaspora mund të luajnë në zhvillimin e mëtejshëm të kësaj treve të bekuar nga natyra, historia dhe traditat e saj të pasura.





- #Nikaj-Mërtur
- #Palç
- #turizëm
- #Bashkia Tropojë
- #mirënjohje