Histori
PROF. GEGË SOKOLI NDEROHET ME TITULLIN “QYTETAR NDERI I TROPOJËS”
Ing. Gjon Fierza · 2026-08-18

Një tjetër figurë e shquar e Nikaj-Mërturit dhe e Tropojës është nderuar me titullin e lartë “Qytetar Nderi i Tropojës” (pas vdekjes). Me vendim të Këshillit Bashkiak Tropojë, ky vlerësim iu akordua inxhinierit të pyjeve dhe pedagogut të njohur Prof. Gegë Sokoli, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij të çmuar në mbrojtjen, zhvillimin dhe administrimin e pyjeve shqiptare, si dhe për veprimtarinë e tij pedagogjike e qytetare.
Në motivacionin e këtij titulli thuhet: “Për kontributin e shquar si inxhinier pyjesh dhe pedagog, për rolin e tij në mbrojtjen dhe zhvillimin e pyjeve. Njeri i shkëlqyer dhe intelektual i spikatur që la gjurmë të pashlyeshme në komunitet.”
Titulli iu dorëzua djalit të tij, Alfred Sokolit, i ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në këtë ceremoni. Në këtë moment të veçantë ai shoqërohej nga nipi i familjes, Gjon Lajthia, si dhe nga shkrimtari i njohur Pjetër Meta, i cili ka qenë ndër nismëtarët dhe mbështetësit kryesorë të propozimit për nderimin e figurës së Prof. Gegë Sokolit.
Pas marrjes së këtij vlerësimi, familjarët e tij shprehën falënderimet dhe mirënjohjen e tyre për institucionet dhe të gjithë ata që kontribuuan në nderimin e figurës së tij.
“Me ndjenjë të thellë respekti dhe mirënjohjeje pranuam titullin ‘Qytetar Nderi’ pas vdekjes për njeriun tonë të dashur. Ky vlerësim përfaqëson një nder të madh për familjen tonë dhe një dëshmi të çmuar të respektit për jetën, veprën dhe kontributin e tij. Jemi krenarë dhe sinqerisht falënderues ndaj të gjithë atyre që kontribuuan për të nderuar dhe lartësuar emrin e tij”, u shprehën familjarët.
Një falënderim i veçantë iu drejtua Këshillit Bashkiak Tropojë për këtë vlerësim, si dhe shkrimtarit Pjetër Meta për angazhimin e tij në evidentimin dhe promovimin e figurës së Prof. Gegë Sokolit.
Gegë Sokoli ka qenë një nga specialistët më të respektuar të pyjeve në vend. Përgjatë jetës së tij ai dha një kontribut të rëndësishëm në menaxhimin dhe mbrojtjen e fondit pyjor, ndërsa si pedagog kontribuoi në formimin profesional të shumë brezave specialistësh.
Puna, profesionalizmi dhe integriteti i tij janë vlerësuar edhe më parë nga institucione dhe organizata të ndryshme. Ai është nderuar me mirënjohje nga Shoqata e Specialistëve të Pyjeve, Bashkia Tropojë, Shoqata Bytyçi, Shoqata Nikaj-Mërtur dhe organizma të tjerë, të cilët kanë vlerësuar kontributin e tij në shërbim të pyjeve, mjedisit dhe komunitetit.
Me titullin “Qytetar Nderi i Tropojës”, figura e Prof. Gegë Sokolit merr një tjetër vlerësim të merituar, duke u radhitur ndër personalitetet që kanë lënë gjurmë të rëndësishme në zhvillimin e Tropojës dhe më gjerë. Kujtimi, vepra dhe kontributi i tij do të mbeten një pasuri e çmuar për brezat që vijnë.
Nga, Ing. Gjon Fierza

- #Gegë Sokoli
- #Qytetar Nderi
- #Tropojë
- #pyjet