Rinia
NJË VAJZË NGA NIKAJ-MËRTURI QË NA BËN KRENARË NË ITALI
Besnik Palnikaj · 2026-08-23

Ka lajme që të japin kënaqësi të veçantë kur i lexon, sidomos kur bëhet fjalë për të rinj nga fiset tona që arrijnë sukses me dije dhe përkushtim.
Sara Nikolin Marvataj, me origjinë nga Gjonpepajt e Nikaj-Mërturit, vajza e Nikolin Sokol Marvataj dhe nga trungu i njohur i Kolë Sejdisë, ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm në Itali.
Sipas medias italiane, Sara Marvataj dhe Leonardo Rossi fituan vendin e parë në konkursin prestigjioz “Amazon Campus Challenge”, duke triumfuar mes mbi 1500 konkurrentëve dhe qindra studentëve universitarë nga e gjithë Italia.
Dy studentët nga Universiteti i Padovës, të quajtur “Dream Team”, ndërtuan një projekt inovativ për zhvillimin e një biznesi italian në platformën Amazon, duke treguar aftësi të larta në strategji, menaxhim dhe zhvillim digjital. Për këtë sukses, ata u vlerësuan nga Amazon me çmimin prej 10 mijë eurosh.
Ky është një sukses që meriton respekt dhe vëmendje, jo vetëm për familjen e saj, por për gjithë Nikaj-Mërturin. Është krenari kur sheh vajza e djem nga zona jonë që ecin përpara me dije, kulturë dhe punë të ndershme.
Sara është një shembull shumë i mirë për brezin e ri dhe një dëshmi se edhe nga rrënjët e një zone të vogël malore mund të dalin njerëz që konkurrojnë denjësisht në nivele të larta ndërkombëtare.
Urime Sara Marvataj! Na bëre krenarë të gjithëve.
- #Sara Marvataj
- #rinia
- #Itali
- #Amazon Campus Challenge
- #diaspora