Lajme
Pal Mhill Prekperaj, një burrë që do të mbetet gjatë në kujtesë
Besnik Palnikaj · 2026-08-29 ·

Sot, më 29 gusht 2026, u nda nga jeta Pal Mhill Prekperaj.
Lajmi i ndarjes së tij nga jeta ka prekur thellë familjarët, miqtë, bashkëpunëtorët dhe të gjithë ata që e njohën.
Në këto momente dhimbjeje, krahas ngushëllimeve të shumta, në faqen Nikaj-Mërtur News, pas publikimit të lajmit për ndarjen nga jeta të Palit, u shënuan edhe disa reagime të veçanta nga njerëz që e kanë njohur nga afër dhe kanë ndarë me të momente të rëndësishme të jetës.
Po veçojmë disa prej tyre, si dëshmi të respektit, miqësisë dhe vlerësimit që Pali gëzonte te njerëzit që e njohën.
## Mark Palnikaj
**Pal Mhill Prekperaj**
Sot, më datë 29 gusht 2026, në orët e para të mëngjesit, në spitalin ku jam i shtruar prej 59 ditësh në Itali, mora lajmin e hidhur për vdekjen e shokut tim të gjithë jetës, Pal Mhill Prekperaj.
Me Palin jemi rritur bashkë dhe jemi miqësuar që në moshën 4-vjeçare. Fatet e jetës nuk na ndanë deri sa vdekja e mori për të mos u parë më kurrë. Bisedën e fundit e kemi pasur dje, në WhatsApp, në orën 12:11. Shpresoja se do ta kalonte.
Përveçse shok, Palin e kam pasur edhe fqinj në fshatin Curraj dhe fati e solli që të ishim bashkë, të pandarë, gjatë 72 viteve të jetës sonë.
Kur ishim në klasën e parë të shkollës fillore, Palit i vdiq babai, në moshën 43-vjeçare. Vëllai i tij, Deda, vetëm 13 vjeç, mori përsipër mbarëvajtjen e familjes prej shtatë personash. Një ndihmë e madhe për të dy këta vëllezër ishte edhe nëna e tyre, Leze Rexhja, një grua fisnike me karakter të hekurt, të ngjashëm me karakterin e burrave fisnikë të krahinës Nikaj-Mërtur.
Vështirësitë që i solli jeta nuk e penguan Palin të përfundonte arsimin e lartë në degët Ekonomik dhe Juridik, ku tregoi kompetencë profesionale në të dyja fushat.
Ishte një njeri që përballoi me sukses vështirësitë e jetës, por ato nuk e penguan kurrë të ishte i pranishëm dhe të paraqitej me dinjitet aty ku e kërkonte nderi dhe burrëria.
Pali krijoi një rreth të madh miqësor kudo ku punoi, duke ndërtuar modelin e një burri fisnik, që nuk gënjen, nuk të pret në besë dhe fjala e të cilit ishte garanci për këdo që e njihte.
Me vdekjen e tij, familja humbi njeriun e dashur, me karakter të çeliktë. Por edhe ne, shokët dhe bashkëpunëtorët e tij, kemi humbur një mik të dashur dhe një njeri besnik, i cili do të mbetet i paharruar në zemrat tona për gjithë jetën.
Më mbetet pikë në zemër që nuk mund të marr pjesë në përcjelljen e Palit, ku duhej të isha i pranishëm dhe, si një nga shokët e tij më të ngushtë, të thosha edhe ndonjë fjalë përcjellëse.
Ngushëllimet më të sinqerta bashkëshortes, dy djemve, vajzës, vëllait, motrave dhe gjithë farefisit të Palit.
I paharruar qoftë kujtimi i tij!
## Pjetër Meta
I dashur mik e shoku im, Pal Mhilli.
Sa lajm të trishtë na dha sot vdekja jote e parakohshme. Aq sa nuk po mundem ta besoj se që nga sot, në orët e para të këtij mëngjesi, nuk takohemi më për të bërë një bisedë të çiltër me ty, ashtu siç e kishe gjithmonë në tiparin tënd.
Nuk do të takohemi më për të pirë një kafe bashkë, për të dëgjuar mahitë e tua të holla, bisedat serioze për punën e për njerëzit dhe, pse jo, edhe pak nervozizëm për padrejtësitë që shfaqen në rrugëtimin tonë.
Sepse ty, i dashur Pali, padrejtësia e njerëzve të mundonte shumë. Nuk e duroje dot dhe gjithmonë e kundërshtoje me bindje e sinqeritet.
Ti na ike, Pali, dhe ike shpejt, duke lënë pas një hidhërim të thellë jo vetëm në familjen tënde të shtrenjtë, veçanërisht në zemrën e Dedës, vëllait tënd të dashur, por edhe në shoqërinë tënde të gjerë në Nikaj-Mërtur, Tropojë, Pukë, Dukagjin e në mbarë Shqipërinë.
Ti ike, por sot numri i vlerave të shtuara të Nikaj-Mërturit që ende frymojnë ëhtë një më pak. Na mungon Pali ynë.
Ti ike, por në mendjen e njerëzve mbete një burrë me vlera, i drejtë dhe i sinqertë. Në historinë e jetës sënde nuk dite ç'është padrejtësia. Në çdo rast padrejtësie ndaj të tjerëve, iu përgjigje me drejtësi, me bindje e, në ndonjë rast, edhe me nervozizëm, sepse ashtu e kërkonte situata.
Ti ike, por në mendjen e njerëzve mbete një burrë i nderuar. Për atë burrëri dhe karakter dhe për provat që dhe gjatë gjithë jetës tënde të punës, mbete një vlerë e shtuar, një intelektual i ditur, një kuadër pa njolla e pa servilizëm, sepse ti e ke urryer gjithë jetën servilizmin dhe servilët.
Ti ike, Pali, dhe ike burrë.
E provova dhe e përjetova burrërinë tënde. E provova atëherë kur mjaftonte një fjalë e jotja kundër meje që menjëherë të më viheshin hekurat e të burgosesha. Por ti e mbrojte të drejtën time ligjore, sepse ti kurrë nuk u përkule dhe as nuk iu trembe Sigurimit të Shtetit dhe as shtetit. Dhe unë, edhe falë sinqeritetit dhe drejtësisë tënde, i shpëtova burgut.
Ti, Pali, kishe edhe një tipar të veçantë, ndoshta ashtu siç e ka gjithë krahina jonë: ishe shumë bujar.
Mbaj mend ato ditë të vështira të jetës sime në kooperativën e Shëngjergjit, kur më thoshe:
"Pjetër, hajde të dalim te Dedë Mhilli sonte në Curraj të Poshtëm e t'i harrojmë këto halle."
Dhe niseshim bashkë asaj rruge drejt lumit Mërtur, për të marrë atë përpjetëzë nga lumi drejt shtëpisë së vëllait tënd, ndërsa ti më bëje biseda që ma lehtësonin, sado pak, shpirtin.
I dashur Pali, të jam mirënjohës për jetë dhe do të të kujtoj ashtu siç të kam njohur e siç të kam dashur, deri në frymën e fundit.
Qofsh i parajsës, miku im i shtrenjtë!
## Mirash Martini
Ky lajm i trishtë më pikëlloi pa masë, pasi me largimin e Palit sot kam humbur një kushëri shumë të dashur dhe një mik të çmuar.
Për shkak të cilësive të tij burrërore, si njeri i dashur, por stoik, fjalëmbajtur dhe i kudogjendur, si profesionist i përkushtuar dhe i vendosur të mos bënte kompromise me parimet e tij, Pali ka qenë një lis i palëkundur, tek i cili mund të mbështeteshin me plot besim të gjithë ata që Pali i donte.
Mua më ka dashur shumë që kur kam qenë fëmijë, pa pritur asnjëherë diçka në këmbim.
Shpirti i Palit pushoftë në parajsë!
## Lekë Vatnikaj
Vdekje e rëndë dhe e parakohshme.
Dhimbja është e madhe për familjen, për mua dhe për të gjithë të afërmit.
Unë humba një shok, një koleg, një njeri të kafes dhe më gjerë.
Nikaj-Mërturi humbi një burrë të mirë. Tropoja humbi një kuadër dhe një nga njerëzit e saj të vyer. Drejtësia humbi një avokat. Kamza humbi një ish-këshilltar të Bashkisë. Ndërsa shokët e miqtë humbën njeriun e dashur të humorit, batutave dhe tavolinave.
Zoti u dhëntë forcë të gjithëve.
Pali u prehtë në paqe e në parajsë.
---
Këto katër dëshmi, të shkruara nga miq që e kanë njohur Palin në periudha dhe rrethana të ndryshme të jetës, tregojnë më shumë se një lajm mortuar. Ato përcjellin portretin e një burri të respektuar, intelektuali, profesionisti, miku besnik dhe njeriu me parime, i cili la gjurmë te njerëzit që e njohën.
Nikaj-Mërtur News u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Prekperaj, të afërmve, miqve dhe bashkëpunëtorëve të Pal Mhill Prekperajt.
U prehtë në paqe!
I paharruar qoftë kujtimi i tij!
- #Pal Mhill Prekperaj
- #in memoriam
- #Nikaj-Mërtur
- #Curraj
- #përcjellje
- #Besnik Palnikaj
Komente
Kushdo mund të komentojë, kyçu me llogarinë tënde sociale ose shkruaj emrin.
Kyçu me rrjetet sociale
Duke ngarkuar komentet…