In Memoriam

IN MEMORIAM – NIKË UKSHIN MRISHAJ (1956–2023)

Familja Mrishaj · 2026-08-22

IN MEMORIAM – NIKË UKSHIN MRISHAJ (1956–2023)

Dedikuar Babait tonë, Nikë Ukshin Mrishaj – Njeriut Unik!

Nga Familja

(Këto janë copëza kujtimesh, ditë të kaluara dhe të jetuara. Disa pasazhe jete së bashku me Babain tonë. Sepse, në fakt, për të shkruar për tim Atë, kjo jetë nuk më mjafton.)

Nikë Ukshin Mrishaj, im Atë, lindi në Curraj të Epërm më 22 janar 1956, në krahinën e Nikaj-Mërturit, në Tropojë, fshatin më të bukur të Alpeve Shqiptare. U rrit me shumë dashuri dhe përkujdesje nga Ukshin Matosh Mrishaj, gjyshi im i nderuar, dhe Shkurtë Imer Mrishaj, gjyshja ime e dashur.

Im Atë, Nikë Mrishaj, pasardhës i një burri malësor me tradita, doke e zakone, punëtor, fisnik dhe derë e madhe e Currajve të Epërme, trashëgoi të gjitha virtytet e të atit.

Sa mall kam, o Babi, të të dëgjoj teksa flisje me nostalgji për atë vend. Nuk kam parë ndonjëherë njeri të flasë me aq shumë dashuri për tokën ku u lind dhe u rrit. I shkëlqenin sytë teksa tregonte historitë e fëmijërisë. Krenohej me gjyshin Ukshin, ndërsa për gjyshen thoshte gjithmonë: “Si ushqimi i nënës nuk kishte në botë!”

Por sot e kam të vështirë. Ikja e tij ka lënë një boshllëk, një zbrazëti të madhe. Humbjen tënde ne nuk e kemi pranuar dhe kurrë nuk do ta pranojmë.

Thonë se me këtë dhimbje njeriu mësohet të jetojë, të zgjohet në mëngjes e të flejë me të. Bëhet pjesë e jetës, e realitetit të ri. Nuk është e lehtë!

Sepse ende shpresoj. Ende vijoj që çdo mëngjes e çdo mbrëmje, para se të fle gjumë, të mendoj: sa do të doja të të përqafoja fort e të të thosha “Faleminderit!”. Më i shtrenjti njeri për ne.

E vërtetë është se në këtë jetë askush nuk të mëson si të jesh prind, por im atë personifikonte Babain që çdo fëmijë ëndërron. Të jesh baba do të thotë ta fusësh fëmijën në përvojën e jetës, të realitetit. Të mos e ndalosh, të mos e burgosësh, të mos e zotërosh, por ta bësh të aftë për zgjedhje.

Im Atë na tregoi rrugën e drejtë, teksa na rriti me dashuri të pakushtëzuar dhe besim të thellë. Na dha dorën dhe na inkurajoi të ëndërronim, të kërkonim më të mirën dhe na mësoi lirinë e mendimit. Na mësoi të ishim të pavarur.

Na mësoi se për t’ia dalë në një botë kaq të ndërlikuar, mirësia e shpirtit dhe forca e vullnetit janë aleatët më të mirë. Por mbi të gjitha, vendosi themelet e një familjeje të shëndoshë dhe na mësoi se karakteri dhe vlerat janë pasuri pa kompromise.

Babi ishte shoku ynë më i mirë. Ai shok që vetësakrifikohet për të mirën tënde, që të zgjat dorën kur ke më shumë nevojë, që të tregon rrugën e drejtë dhe të ndihmon ta ndjekësh.

Ishte njeriu që na dëgjonte, na mbështeste, na kuptonte dhe nuk na gjykonte. Çdo gjë me të ishte më e thjeshtë. Një fjalë e tij ishte një mësim që depërton në çdo qelizë.

Sot, falë teje jemi këtu, Babi. Çdo arritje që kemi ta dedikojmë ty. Me ty, Babi, ne ishim ekipi më i mirë në botë, sepse kishim udhëheqësin më të mirë.

Por jeta shpeshherë është tinëzare, e pamëshirshme dhe e padrejtë. Babai ynë, Nikë Ukshin Mrishaj, nuk është më mes nesh që prej 17 shtatorit 2023. Bashkë me të u largua edhe një pjesë e zemrës sonë.

Do të të kujtojmë gjithmonë ashtu siç ishe: bir, vëlla, bashkëshort, baba dhe gjysh i jashtëzakonshëm. Do të të mbajmë me vete në çdo hap, në çdo moment, për gjithë jetën.

Nikë Ukshin Mrishaj ishte unik dhe i pazëvendësueshëm për familjen, për shokët dhe për miqtë e tij. Ai do t’u mungojë vëllezërve, motrave, nipërve, mbesave, të afërmve, shoqërisë dhe gjithë krahinës së Nikaj-Mërturit.

Dua ta mbyll këtë shkrim me një nga bisedat tona, të cilën do ta mbaj me vete gjithë jetën. Më thoje:

“Ne jemi si ahu, një lloj peme që rritet edhe në Curraj të Epërm. Ahu nuk përkulet kurrë. Është i drejtë, i lartë dhe madhështor. Ashtu do të jemi edhe ne.”

Do të të kujtojmë gjithmonë në zemrat dhe mendjet tona.

I yni përjetë, Nikë Ukshin Mrishaj.

Me mall e dashuri, Familja

  • #In Memoriam
  • #Curraj i Epërm
  • #Mrishaj
  • #familje